Ministri i angazhuar për diasporë, Dr.Xhemail Çupi ishte nikoqir i delegacionit të Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës

Në vazhdën e takimeve intenzive, sot Ministri i angazhuar për diasporë, Dr.Xhemail Çupi ishte nikoqir i  delegacionit të Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës i kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, deputeti, z. Haki Abazi.
Në takim u bisedua për rolin e diasporës dhe u këmbyen përvoja dhe ide për mënyrën dhe mundësitë e përafrimit të tyre me shtetin amë. 
Ministri Çupi i informoi të pranishmit për aktivitetet dhe obligimet që dalin nga Strategjia nacionale për bashkëpunim me diasporën, 2019-2023 e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu ai informoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut së shpejti do ta ratifikojë Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e diasporës ndërmjet dy vendeve, marrëveshje kjo që do të kontribuojë edhe më tej në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.
Z. Abazi, shprehi gatishmëri për bashkpunim edhe më të frytshëm mes dy shteteve, sidomos në lëminë e bashkëpunimit në sferën e diasporës. Ai foli për rolin që diaspora e ka në ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturor edhe atë gjuhësor, si element shumë i rëndësishëm edhe për thithjen e investimeve nga sipërmarës të suksesshëm.
Në fund, në emër të komisionit që përfaqëson z. Abazi e ftoi Ministrin për një takim me Komisionin parlamentar për punë të jashtme dhe diasporë pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës, vizitë kjo e cila parashikohet të realizohet në pjesën e parë të muajit dhjetor.

Albanian